Në takimin e sotëm me qytetarët në Ersekë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, tha se vendi ynë është në rrezik nga shpopullimi masiv.
Po ashtu ai shtoi se kryeministri Edi Rama ndjehet më i afërt me presidentin serb Aleksandër Vuçiç se sa me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kjo vetëm pse ky i fundit kundërshton Ballkanin e Hapur.
“Ç’duhet të bëjë tjetër me ne si shqiptarë që ta tolerojmë. Ky po sillet si pushtues me shqiptarët, ndjehet më afër me Vuçiçin se me Albin Kurtin, sepse Kurti nuk pranon projektin Ballkanin e Hapur, projekt mirëfilli anti Shqiptar. Duhet ti jemi mirënjohës që po e kundërshton. Marrëdhëniet shqiptaro serbe nuk janë kurrë të sinqerta nëse nuk kalojnë nga Prishtina.
Ndryshe sjellin vetëm atë që ndodhi në Kosovë. Dua t’ju ftoj të angazhohemi me përkushtim në dialog me çdo qytetar vendi është në rrezik, Shqipëria është në rrezik dhe kush thotë të kundërtën të paraqesë argumente. Një vend që po shpopullohet me shpejtësi marramendëse. Një nga faktorët themelor të ekzistencës sonë kanë qenë nënat por kemi më shumë vdekje se lindje. Ky është një fakt i dhimbshëm.”- ka deklaruar Berisha.
Ish-kryeministri foli për gjendjen ekonomike të fermerëve dhe qytetarëve shqiptarë teksa hodhi akuza për kryeministrin duke thënë se në Beograd sot po eksportohen “plehrat kimike” të oligarkëve të tij.
“Ndodhemi në një moment kritik. Unë e di se jo të paktë janë ata që thonë; po ne kemi halle të tjera shumë më të mëdha se kjo. Kjo nuk është e drejtë. Sepse për çdo njeri të qytetëruar, nuk ka interes më jetik mbi të gjitha interesat e tjera sesa interesi kombëtar.
Ata që e shkëputën Shqipërinë dhe ë bënë të pavarur, e bën nga dashuria që kishin për Shqipërinë. Dhe Shqipëria do të ecë vetëm nëse e duam. Dhe fëmijët tanë do të jenë zotër të këtij vendi nëse ne i mëkojmë ata me dashurinë për këtë vend. Vetëm nëse i qëndrojmë traditës më të mirë.
Vetëm kombet e qytetëruara i zhvillojnë vendet e tyre.
Nuk mund të zhvillojë vendin dhe nuk e do kombin, ai që do ta kthejë vasal të një shteti tjetër.
Shikoni çfarë ndodh sot: prodhimi bujqësor në Shqipëri dhe e kam denoncuar me qindra herë po shkatërrohet me shpejtësi të madhe. Isha mbrëmë në Prrenjas. Dhe më tha një qytetar. ‘Kishim në fshat 400 lopë, kemi disa dhjetëra’ tjetri mbushte arkat me kumbulla dhe i hidhte në kanal me radhë sepse atë që s’e bën askush në botë e bën ky me dogmën ‘Kampioni po pret 1110 vite në dogana!!!’
Po çdo vend në botë në kulmin e prodhimeve të veta vë kufi, prit të shesësh të miat! Nëse ne nuk mbrojmë tregun….Prodhimet tuaja kalben, bien, po si e zgjidh Edi Rama këtë?! E zgjidh: ‘Bujqit po eksportojnë në Beograd!!!’
E dini ju çfarë po eksportohet?! Jua them unë! Po eksportohen plehrat kimike të oligarkëve të Ramës, se është lista! Është e vërtetë. Janë rritur eksportet me Serbinë 30% nga të cilat 20% janë eksporte të plehrave kimike të depozituara në Shqipëri me çmime të larta.
Fermerët nuk i kanë blerë dot dhe këta i rieskportojnë. Ky është ‘eksporti shqiptar’. Ne nuk prodhojmë asnjë kilogram ure, as nitrat më kurse importet serbe janë rritur me 250%! Janë rritur me 2.5 herë në një hark kohor dyvjeçar!”– tha Berisha.