Avokatët e Elon Musk thanë të premten vonë se biznesmeni ka arsye të reja për të anuluar marrëveshjen e tij të bashkimit me Twitter-in.
Në një letër për Twitter-in, avokatët shkruan se pagesat e fundit të shkëputjes nga puna për një ish-punonjës, Peiter Zatko, shkelin marrëveshjen e bashkimit.
Musk tashmë kishte dërguar dhe letra të mëparshme duke argumentuar se marrëveshja është ndërprerë, një mosmarrëveshje që do të diskutohet në Gjykatën e Kancelarisë së Delaëare në tetor.
Tani, avokatët e Musk thonë se kanë një arsye tjetër për të anuluar marrëveshjen.
Në letër thuhet se shkëputja e Zatkos nga puna, në një total prej 7.5 milionë dollarësh, shkel një pjesë të marrëveshjes së bashkimit që ndalonte lëvizje të tilla në kohën midis “nënshkrimit dhe mbylljes” së marrëveshjes.
“Kjo pagesë e shkëputjes nga puna shkeli seksionin 6.1(e) dhe nuk mund të kurohet.”- shkruajnë avokatët e Musk sipas Barrons.com.
Në dosjen e Komisionit të Letrave me Vlerë që përmban letrën thuhet se pagesat e shkëputjes shërbejnë si një bazë “e veçantë” për përfundimin e bashkimit.
“Për shkak se Twitter ka mbajtur qëndrimin se Marrëveshja e Bashkimit mbetet në fuqi, Pala e Musk jep këtë njoftim shtesë për përfundimin e Marrëveshjes së Bashkimit.”- thuhet në letër.
Zatko, i cili ish-shefi i sigurisë së Twitter-it, është bërë një lojtar i rëndësishëm në betejën e vazhdueshme midis Musk dhe Twitter pasi ai paraqiti një ankesë në SEC duke pretenduar se Twitter kishte mashtruar rregullatorët dhe bordin e kompanisë në lidhje me dobësitë e sigurisë dhe përpjekjet për të luftuar spam-et.