Franca, Britania dhe Gjermania thanë të shtunën se kishin “dyshime serioze” në lidhje me synimet e Iranit për të ringjallur një marrëveshje bërthamore, komente që u refuzuan nga Teherani dhe u quajtën “shumë të parakohshme” nga Moska.
Irani në fillim të këtij muaji dërgoi përgjigjen e tij të fundit ndaj tekstit të propozuar të Bashkimit Evropian për të rivendosur marrëveshjen e vitit 2015, sipas së cilës Teherani kishte frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike të SHBA-së, BE-së dhe OKB-së.
Diplomatët kanë thënë se përgjigja e Iranit ndaj koordinatorit të BE-së ishte një hap prapa, me atë që kërkon të lidhte një ringjallje të marrëveshjes me mbylljen e hetimeve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) për gjurmët e uraniumit në tre vende.
Bordi i Guvernatorëve të IAEA mblidhet të hënën, tre muaj pas miratimit të një rezolute që i kërkon Iranit t’i japë përgjigje të besueshme mbikëqyrësit për këtë çështje. Përpara atij takimi, palët evropiane në marrëveshje shprehën zhgënjimin e tyre.