Një 36-vjeçar është arrestuar në Fier pasi nga një kontroll në banesën e tij i është gjetur një armë zjarri pa leje, municion luftarak dhe doza lënde narkotike kanabis.
Arrestimi i tij u bë pasi policia kishte informacion se shtetasi E.K banues në Fier, mbante armë zjarri pa leje e shiste lëndë narkotike.
“Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Zastava”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-E. K., 36 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 36-vjeçarit, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”-njofton policia.