Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 13 shtatorit që zhvillohet te inceneratori i Tiranës.
Meta thotë se miliona euro grabiten çdo ditë dhe i jepen mafies së inceneratorëve.
Qeveria vijon paguan inceneratorët ndërkohë inceneratorë nuk ka.
“Miliona euro të taksapaguesve shqiptarë grabiten çdo ditë nga mafia e inceneratorëve me firma të falsifikuara të qytetarëve, që janë ndarë nga kjo botë prej vitesh, me firma pensionistësh që jetojnë në azile dhe me firma çobanësh që mbajnë dhen në Greqi. Si mund të vazhdojë kjo aferë kur inceneratorë nuk ka por Qeveria vazhdon paguan pronarët e shpallur në kërkim? Dihet shumë mirë që këto para shkojnë vetëm për krimin. Vetëm lufta e hapur kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë. Koha nuk pret më! Të gjithë në protestë më 13 shtator, ora 18:00, tek inceneratori i Tiranës!”-shkruan Meta.
Protesta e lajmëruar do nisë prej orës 18:00 tek impianti i trajtimit të mbetjeve në Sharrë të Tiranës.