Vendosni fjalën kyçe....

Përplasen dy trena në Kroaci, raportohet për 3 të vrarë dhe 11 të plagosur (FOTO)


Një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash janë përplasur të premten mbrëma në Kroacinë qendrore. Si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën të paktën tre persona dhe kanë mbetur të plagosur 11 ose më shumë të tjerë.

Përplasja ka ndodhur rreth orës 21:30 afër qytetit Novska, i cili është afër kufirit të Kroacisë me Bosnjën, tha policia në një deklaratë.

“Ndikimi ishte i madh.”- tha kryeministri Andrej Plenkoviç, i cili nxitoi në vendngjarje me zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Plenkoviç konfirmoi se deri më tani trupat e tre personave janë gjetur në vendin e aksidentit, por ai tha se viktima të tjera mund të gjenden ende në mëngjes.

Ai shtoi se të lënduarit janë shtruar në spital, disa me lëndime të rënda, por asnjë në gjendje të rrezikshme për jetën.

“Është natë, nuk ka dritë, për momentin nuk e dimë nëse ka më shumë viktima.”– tha Plenkoviç, citon WP. Treni i pasagjerëve ishte një linjë lokale me 13 persona, ndërsa në trenin e mallrave ishte vetëm drejtuesi i motorit. Kryeministri tha se mes të plagosurve ka edhe shtetas të huaj.