Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet e shiut, përmbytje në disa zona në Shkodër (VIDEO)


Kafshë të ngordhura, banesa nën ujë dhe dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore. Kështu është gdhirë Shkodra kët të shtunë, pasi gjatë natës është përfshirë nga një stuhi e fortë dhe reshje të dendura shiu.

Pedonalja në qendër të qytetit është përmbytur gjithashtu nga rrebeshi i shiut që zgjati për disa orë.

Disa fshatra të njësisë Rrethina, pjesë e bashkisë Shkodër kanë dhjetëra hektarë tokë të përmbytur ndërsa në disa raste ka edhe banesa që kanë pësuar dëme të ndryshme.

Banorët i kanë bërë thirrje shtetit që të pastrojë kanalet, që kanë vite pa u pastruar.

“Ka ardhur stuhia, 1 me e gjysmë ka këtu, ç’ka pasur Brenda në shtëpi i ka dëmtua, ka shembull avllinë, më ka marrë makinë, 30 vite nuk ka pastruar shteti kanalet, i kam marrë policinë më ka thënë nuk ka punëtor, s’mundem të vijë, kështu nuk i kemi pasur kurrë, e ka marrë makinë e ka spostuar 20 metra, apeli im është të pastrojë kanalet dhe ndihma.”- tha një banor i fshatit Bardhaj për Report Tv.

“Dëmet janë të mëdha. Ka prishë avllinë, ka faj shteti që s’ka pastruar kanalet. Në shpi ca ka pasur brenda ka shkuar dëm, 2 makinat e shtëpisë janë dëmtuar. Nja 30 familje janë dëmtuar, ka ndodhur edhe 2-3 herë të tjera, jo kaq shumë. Reagime s’ka pasur, apeli jonë është që të na punojë këto kanale, të reagojë, mos të rrijë duar kryq se kur janë votat vijnë.”- tha një tjetër.

Po ashtu në rrugën e zonës turistike të Shirokës pranë liqenit të Shkodrës gjatë natës ka pasur probleme me rrëshqitjet e dheut duke vështirësuar kështu qarkullimin rrugor.

Institucionet nga ana tjetër, bashkia Shkodër dhe Prefektura e Qarkut Shkodër pretendojnë se janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit duke nisur punën për evidentimin e dëmeve të mundshme dhe normalizimin e situatës.