Ministria e Brendshme ka reaguar pas sulmit kibernetik të ndodhur mbrëmjen e kaluar mbi sistemin TIMS, të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.
Në njoftimin për mediet, Ministria e Brendshme thotë se sistemi TIMS dhe të tjera kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht.
“Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.
Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal.
Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është goditur nga një tjetër sulm kibernetik, ku këtë radhë është prekur sistemi TIMS.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.”– shkroi Rama në një postim në Twitter.