Një varkë me 11 persona në bord është përmbysur pranë Kaikoura, Zelandë e Re, sipas autoriteteve lokale. Policia e cilësoi aksidentin si një ngjarje ‘të paparë’ dhe ‘tragjike’, duke konfirmuar pesë të vdekur, ndërsa gjashtë të tjerë u shpëtuan.
Kryebashkiaku vendas fajësoi për aksidentin një balenë ‘të poshtër’, e cila dyshohet se e ktheu varkën, duke e goditur atë nga poshtë.
“Varka u përmbys nga një balenë. Ne e kemi mbyllur portin në mënyrë që ekipet e kërkim-shpëtimit të vijojnë të punojnë.” – tha kryebashkiaku i Kaikoura, Craig Mackle për transmetuesin RNZ. Moti i keq tashmë është përjashtuar si një shkak i mundshëm i ngjarjes, pasi kushtet e detit ishin shumë të mira në kohën e incidentit tragjik, sipas zyrtarit.
Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë disa nga të mbijetuarit të ulur në majë të varkës së përmbysur.
Policia, megjithatë, deri tani nuk e ka dhënë shkakun e incidentit duke mos përmendur ‘asnjë balenë’ në deklaratën e saj duke thënë se varka u përplas me një objekt të paidentifikuar.
Autoritetet detare të Zelandës së Re kanë dërguar hetues në Kaikoura për të përcaktuar të gjitha rrethanat e përmbysjes dhe për të përcaktuar nëse balena ishte shkaktare e incidentit.