Vendosni fjalën kyçe....

Maqedonia e Veriut kërkon për herë të tretë ekstradimin e Nikolla Gruevskit


Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar këtë të hënë, se po kërkon përsëri ekstradimin nga Hungaria të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Deri më tani për Nikolla Gruevskin i cili po qëndron në azil në Hungari, është dërguar një kërkesë për ekstradim në nëntor të vitit 2018 dhe një tjetër në qershor të vitit 2019.

“Kërkesa për ekstradim përfshin të gjitha rastet për të cilat kemi dijeni se janë duke u zhvilluar procedura para organeve gjyqësore maqedonase, gjegjësisht për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar fletë-arrest.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, citon REL.

Hungaria ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 5 tetor të vitit 2019 me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil dhe, sipas ligjit hungarez, një person nuk mund të ekstradohet në vendin nga i cili ka ikur.