Vendosni fjalën kyçe....

Meta homazhe për Azem Hajdarin: Shpirti i protestës do të rivendosë demokracinë


Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar sot homazhe për Azem Hajdarin në 24-vjetorin e vrasjes së tij. Gjatë fjalës së tij para medieve, njëlloj si kreu i PD-së Sali Berisha edhe Meta u dha mesazhe qytetarëve për t’u ngritur në protesta.

“Është një detyrim për të qenë sot këtu dhe për të kujtuar liderin e lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90, frymëzuesin dhe guximtarin e jashtëzakonshëm Azem Hajdarin për atë lidership aq frymëzues që tregoi në kohët më të errëta duke frymëzuar shpresë dhe besim në atë përmbysje që ndodhi falë qëndresës së studentëve dhe qytetarëve të tjerë që rrëzuan edhe murin e Tiranës ashtu si ishte rrëzuar më parë muri i Berlinit.
Ndaj sot nderimi për Azem Hajdarin ka rëndësi të madhe sepse si asnjëherë tjetër janë vënë në diskutim arritjet më të mëdha të demokracisë, lirisë dhe vetë ekzistenca e kombit tonë. Mjafton të shohësh numrin e nxënësve, për të kuptuar se kemi një kërcënim serioz për ekzistencën e shtetit, për të ardhmen dhe kombin tonë që vjen nga rënia e vlerave të demokracisë.
Shpirti i protestës do të rivendosë demokracinë, vullnetin e sovranit dhe të garantojë që sistemi i llogaridhënies të funksionojë për 200 vitet e ardhshme.”– deklaroi Meta.