Agjencia e Mbikëqyrjes së Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit për pezullimin e dy nënkomisarëve të Drejtorisë Vendore të Elbasanit.
Bëhet fjalë për efektivët Ulian Shpataraku 37-vjeç dhe nënkomisarja Sovjona Kapllanaj 45-vjeçe.
“Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, datë 11.09.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të punonjësve të policisë:
– Nënkomisar U.SH, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan;
– Nënkomisare S.K., 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan.
Ata janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.1200, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e kësaj Prokurorie. Dyshohet se në shpërdorim të detyrës, këta punonjës policie nuk kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor”-thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftimin e AMP-së nuk thuhet për cilin të kërkuar bëhet fjalë.