Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Nën Biden SHBA-ja ka humbur ‘zërin e respektin’ në botë, ka bërë shumë gabime


Fusha ajrore e Bagramit në Afganistan ishte e një rëndësie të madhe për SHBA-në për shkak të afërsisë së saj me Kinën dhe një prej objekteve strategjike bërthamore të Pekinit, ka pohuar ish-presidenti Donald Trump.

Në një intervistë me kanalin e lajmeve NDTV të Indisë, Trump u ankua se pozita e Amerikës në botë ka pësuar disa goditje të mëdha nën pasardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden. Ai pohoi se presidenti i tanishëm amerikan ka bërë shumë gabime, duke përmendur si shembull tërheqjen kaotike të vitit të kaluar nga Afganistani. Trump e përshkroi trajtimin e tërheqjes nga Biden si ‘paaftësi’, pasi Uashingtoni la pas qytetarë amerikanë dhe pajisje me vlerë rreth ’85 miliardë dollarë’.

Sipas ish-presidentit, tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por nuk u krye si duhet. Trump argumentoi se, po të ishte ende në detyrë në atë kohë, kaosi nuk do të kishte ndodhur.

Ai shtoi se Uashingtoni ‘do duhet ta kishte mbajtur Bagram’. Duke shpjeguar rëndësinë e fushës ajrore, Trump tha: “Bagram është një orë larg nga centrali bërthamor kinez ku prodhojnë armë bërthamore, apo jo? Nuk duhet të kishim hequr dorë kurrë nga kjo.”

Baza Ajrore Bagram në Afganistanin verilindor u pushtua nga trupat amerikane dhe britanike menjëherë pasi Uashingtoni dhe aleatët e tij filluan operacionin e tyre ushtarak në vend në vitin 2001. Për vite, fusha ajrore shërbeu si një nga bastionet kryesore ushtarake perëndimore në rajon. Të burgosurit u mbajtën në një kamp në bazë të tij.

Në gusht 2021, Bagram ra në duart e militantëve talebanë pasi trupat e ushtrisë afgane të mbështetura nga perëndimi u dorëzuan dhe kontingjenti amerikan u largua nga baza.

Duke folur me gazetarët indianë, Trump pohoi gjithashtu se Amerika nën Biden ishte bërë dukshëm më e dobët se kurrë më parë ‘në shumë mënyra’.

Përveç rritjes së inflacionit dhe problemeve të tjera, Uashingtoni ka humbur gjithashtu ‘zërin dhe respektin në mbarë botën’, sugjeroi ish-kreu i shtetit. Trump vazhdoi të pretendonte se Rusia nuk do e kishte filluar sulmin e saj kundër Ukrainës nëse ai do të ishte ende në detyrë. Ai gjithashtu paralajmëroi se Kina së shpejti mund të përpiqet të pushtojë Tajvanin me forcë.