Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deputeti i PD-së, Flamur Noka ka ngritur shqetësimin dhe ka kërkuar llogari nga institucionet për zhdukjen pa gjurmë të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
“Është zhdukur një qytetar i një vendi e vetëm dëgjohen versione nga qytetarët e portalet e nga shteti e policia nuk jepet asnjë version. A është zhdukur a është gjallë a ka ikur a mos është dhe ai këtu, pra të ndodhë një situatë e tillë nën këtë vend e shteti ngre duart përpjetë.
Të vriten njerëzit si lepujt e askush nuk zbulon e parandalon e askush nuk di se çfarë po ndodh e kush i bën kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Nëse qyetarët janë të alarmuar për gjendjen e rendit e sigurisë zonja zv ministre nuk ia ndjen.”– tha Noka.
Deputeti demokrat tha se gjendja e sigurisë dhe e rendit në vend është alarmante, ku autorët nuk kapen e nuk zbulohen nga autoritetet, por vetëm Nuredin Dumani sipas tij ka zbuluar ngjarje dhe autorë.
“Situata kriminale e kohëve të fundit në Shqipëri dikton në gjykimin tonë që nga ana e qeverisë të tregohej një pergjegjshmëri më e madhe. Këtu sot duhet të ishte vetë ministri, jo zv ministrja që thotë do ju çoj informacion me shkrim se nuk jam e informuar.
Zonjë, prej kaq kohësh Shqipëria është bërë shesh betejë mes bandave të krimit të organizuar, zbulueshmëria është zero. I vetmi zbulues në këtë rast është vetë krimineli Dumani që ka zbuluar ngjarje e autorë, policia asnjë. Ju mjaftoni me rrokada si historia e atyre qershive.”– tha ai.
Noka theksoi se qeveria duhet të sjellë pa vonesa dhe me urgjenë në Kuvend marrëveshjen për ekstradimet e shqiptarëve nga Dubai.