Vendosni fjalën kyçe....

Breshëri gabimesh nga Presidenti Begaj në komunikimin publik


 

U kalua lehtësisht mungesa e një mesazhi a një paragrafi për Kosovën në fjalimin e parë si president. Qe e mirëkuptueshme deri diku se arsyeja mund të kishte të bënte me emocionet e mëdha të një detyre të re, përballjen për herë të parë me publikun apo me momentin kur shkruhej fjalimi; pa hedhur këmbët në godinën ku mendohet se do punojë gjatë.

Megjithëkëtë, sapo presidenti i ri Bajram Begaj hodhi këmbët brenda saj, një president “normal” krahasuar me Metën sipas maxhorancës, gabimet në komunikimin publik nuk ndalën më.

Do të kishte qenë lehtësisht e kaluar sikur gjithë çeshtja të përqëndrohej te zgjidhja e kthimit në detyrë të z.Edvin Zhvarc si drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Mediet, pas shkarkimit nga presidenti Begaj por duket se situata nuk është dhe kaq e thjeshtë.

Ajo që duket se i mungon kreut të shtetit dhe këshilltarëve të tij është ajo që në gjuhën shqipe quhet largpamësi: të kuptuarit se në institucione shtetërore si Presidenca, komunikimi me publikun është një nga punët më të rëndësishme. Në lojë këtu hyn informacioni dhe njohja deri në detaj e ceremonialit.

Të njohësh publikun të cilit i drejtohesh nuk do të thotë të pajtosh vetëm shkrues, por njerëz që mendojnë dhe e njohin kulturalisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Komunikimit publik të Presidencës i lipsen profesionistë që nuk dinë vetëm ca taktika e lëvizje të vockla marrëdhëniesh me publikun por nga ata që kanë guximin t’i qëndrojnë përballë së vërtetës: shumë gabime po ndodhin në Presidencë. Pse? Si të veprojmë për t’i ndrequr? Si t’ia komunikojmë publikut këtë krizë?

Gafat e presidentit Begaj: quan monarkinë të tejkaluar, shkarkon Zhvarcin me përvojë të gjatë në Presidencë nëpërmjet një letre gjithë gabime, i servir publikut imazhin e një “centralisti” teksa komunikon me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin.

Ka dhe një kontrast shumë të madh sa u përket pak komunikimeve që ka kryer z.Begaj. Një kujdes të jashtëzakonshëm në zgjedhje fjalish, gjatësi paragrafësh a komunikime televizive kur flet për aleatin tonë SHBA-të dhe një përtesë të habitshme për t’u treguar të njëjtin kujdes ndjeshmërive të shqiptarëve të tij. Mjafton të rilexoni fjalimet e të dëgjoni se si shqiptarëve të Kosovës u drejtohet me cilësimin “kosovarë”.

Gafa në pritjen e presidentit italian Matarella, Begaj ngatërron protokollin duke ecur në kohën që banda frymore luante himin e Italisë.

Po çfarë mund të bëjë një president në këto kushte? Cila është gjëja më e parë?

Mjafton t’i hipë një taksie, siç thoshte se bënte dikur kryeministri Rama, e të bisedojë me shoferin e saj duke e pyetur se çfarë mendon mbi debutimin e tij si president. Pa këshilltarët që e rrethojnë.

Siç thotë aleati që aq shumë e ka përzemër ta përmendë, “out of the box”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gogo.al