Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Komisionin e Ligjeve për Ilir Beqajn/ Alibeaj i kujton “episodet penale”, Bushka e mbron dhe e quan njeri “të nderuar”


Një debat ka nisur sot në Komisionin e Ligjeve për praninë e ish-ministrit Ilir Beqaj atje.

Në mbledhjen e sotme të komisionit po diskutohej për projektligjin për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për Asistencën e Panëtarësimit, për të cilën Beqaj është koordinatori kombëtar për menaxhimin e këtyre fondeve.

Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj duke iu referuar Beqajt, tha se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një figurë politike i cili ka pasur disa episode ligjore dhe penale.

Por kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka i doli në mbrojtje ish-ministrit duke thënë se është një “zotëri i nderuar”.

Pas një debati mes tyre, Bushka i hoqi fjalën Alibeajt.

DEBATI

Enkelejd Alibeaj: Prisja që zoti Beqaj diçka duhet ta thoshte lidhur me pozicionin e tij. Më tërhoqi në fakt dhe një shifër që tha relatorja, janë fonde që Evropa do i jepen Shqipërisë. Madje 3.85 milionë ishin për luftën kundër korrupsionit. E ne do duhet të jemi seriozë si shtet. Unë e kuptoj shumë mirë që është zgjedhje e qeverisë, Edi Ramës që të jetë zoti Beqaj si koordinator, përfaqësuesi i shtetit shqiptar me evropianët që nuk është figurë burokratike por politike, ka qenë deputet, ministër e tani zgjedhje politike e kryeministrit.

Po ne këtu duhet të kemi guximin që ca gjëra t’i themi e ti shohim në mënyrë realiste. Përfaqësimi ynë me Evropën është me zotin Beqaj si figurë politike i cili një herë e humbi mandatin për ca shkelje ligjore në gjykatën Kushtetuese. 

Klotilda Bushka: Zoti Alibeaj për procedurë ndërhyj unë, ju këtu jeni për aktin, Beqaj është koordinatori kombëtar i iPAA, person teknik, nuk është person politik.

Enkelejd Alibeaj: A mund ta çoj deri në fund?

Klotilda Bushka: Jo nuk mund ta çoni deri në fund

Enkelejd Alibeaj: Kjo është mundësi tani pse duhet të krijoni…

Klotilda Bushka: Është mundësi e juaja që sa herë ju hapet mikrofoni të hidhni baltë mbi njerëzit

Enkelejd Alibeaj: Nuk po hedh baltë mbi njerëzit jam shumë i kujdesshëm në atë që po them.

Klotilda Bushka: Po ofendoni

Enkelejd Alibeaj: Nuk po ofendoj, nëse ka një element ofeze ju kërkoj unë ndjesë, e unë po flas…

Klotilda Bushka: Nëse keni gjë për aktin, po, nëse jo jua ndërpres fjalën. Jo se s’mund t’ju kthejmë përgjihje por s’është e drejtë të merrni komisonin peng. Përdorni foltoret politike dhe plenare për çdo baltë që keni dëshirë të hidhni.

Enkelejd Alibeaj: Nuk është aspak evropiane kjo që do bësh, të zbatojmë rregullat. Unë nuk hedh baltë në aspektin personal, ajo që sjell në vëmendje është morali politik për ca çështje që së paku personi në fjalë si nëpunës i shtetit, ka pasur episode ligjore, penale.

Klotilda Bushka:  Askush nuk u jep të drejtën të bëni moral në komisionin e ligjeve, betejën politike të moralit nuk jeni ju personi që mund ta bëni në këtë komison, bëjeni ku të doni. Unë se jap komisionin peng ju që të bëni retorikën tuaj politikle e të shkelni dhe etikën se zoti Beqaj i nderuar ka ardhur si përfaqësues i qeverisë. Nëse me zotin Beqaj keni probleme flitini në vend tjetër.

Enkelejd Alibeaj: A mundet?

Klotilda Bushka: Jo juve ua kam ndërprerë fjalën zoti Alibeaj. Unë e dhashë vendimin, ju nuk e merrni dot më fjalën.