Vendosni fjalën kyçe....

“Do jetë një protestë model”- Meta iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi protestën e sotme: Edhe Zimbabve mori masa më të forta


Në konferencën e sotme nga ku u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e thirrur sot në 18:00 prej tij, Ilir Meta iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi këtë protestë.

Kryetari i Partisë së Lirisë theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe një model për protestat e tjera që do të vijnë.

Meta tha se Shqipëria nuk mund të jetë një vend i cili të mposhtet nga “frika, dhuna e mafia në pushtet”.

PYETJE-PERGJIGJET

Pyetje: A do jetë protesta e parë e PL-së, protestë e qetë, protestë simbolike, protestë pankartash apo do të shkojë përtej?

Ilir Meta: Do jetë një protestë e parë që do të vijohet dhe nga të tjera sikurse e kemi bërë të qartë. E fillojmë te inceneratori i Tiranës sepse skena e krimit aty është më flagrante, më e dukshme se kudo tjetër në Shqipëri dhe padyshim që do vijojmë dhe në skena të tjera të krimit, vjedhjes, grabitjes që u bëhet qytetarëve tanë.

Pa asnjë diskutim që do të jetë një protestë paqësore, qytetare, model por dhe shumë konkrete dhe vetë fakti që kemi zgjedhur skenën e krimit e bën një protestë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Pyetje: Për ata që kanë qenë më parë tek landfilli, e dinë se para se të shkosh tek vendi I landfillit është një portë, protestuesit do jenë vetëm përballë portës së landfillit apo do shkojnë ta shohin nga afër nëse ka incenerator?

Ilir Meta: Protestuesit do të jenë të udhëzuar dhe orientuar nga ekipet që po merren me organizimin e protestës.

Atëhere edhe njëherë tjetër ju falenderoj për interesimin tuaj. Falenderoj edhe njëherë qytetarët të cilët do të solidarizohen me këtë protestë që bëhet në mbrojtje të interesit të tyre qytetar, publik por edhe kombëtar.

Sepse Mafia duhet ndalur sot, përpara se ajo t’u bëjë dëme të tjera më të rënda popullit tonë, është sot koha për të ekzekutuar frikën që mafia kërkon të mbjellë kudo në të gjithë vendin tonë, shoqërinë tonë dhe në të gjithë familjet shqiptare, në mënyrë që të pajtohen me heshtjen, vjedhjen e të pranojnë poshtërimin e grabitjen vetëm për shkak të frikës.

Jo, ne nuk mund të jemi një vend i cili të mposhtet nga frika, dhuna e mafia në pushtet.
Ju e dini se ky fenomen ka ndodhur dhe në Zimbabve, por Zimbabve ka marrë masa shumë më të forta për të goditur mafien se sa ne që jemi vend anëtar i NATO-s e që duhej të kishim hyrë me kohë në BE.