Retorika antigreke e politikanëve turq, përfshirë presidentin Erdogan, është e papranueshme, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar megjithatë se ai mbetet i hapur ndaj idesë së takimit me Erdoganin, ndoshta muajin e ardhshëm.
“Unë nuk i hodha në erë urat me Turqinë. Unë jam gjithmonë i hapur për ta takuar Erdoganin.” – tha lideri grek të dielën gjatë një konference për shtyp.
Ai sugjeroi se një takim i tillë mund të zhvillohet në Pragë në një samit jozyrtar të BE-së në fillim të tetorit.
Mitsotakis minimizoi përshkallëzimin e tanishëm të tensioneve midis kombeve, duke e lidhur atë me zgjedhjet e përgjithshme të ardhshme në Turqi, të cilat janë planifikuar për në qershor të vitit të ardhshëm. Politikanët turq gjithmonë luajnë kartën e nacionalizmit për të fituar pikë brenda vendit, vuri në dukje zyrtari grek.
Ndërsa i quajti deklaratat antigreke ‘të papranueshme’, ai tha se nuk besonte se raundi i vazhdueshëm i armiqësisë midis Turqisë dhe Greqisë do çonte në një luftë të hapur midis vendeve, të cilat janë të dyja anëtarë të NATO-s. Por forcat e armatosura greke janë gati të mbrojnë vendin, shtoi kryeministri.
Mitsotakis i bëri komentet teksa mori pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut.
Turqia dhe Greqia përplasen për një sërë ankesash historike dhe moderne. Erdogan përsëriti kohët e fundit akuzat se Greqia po minonte sigurinë kombëtare turke duke vendosur trupa në ishujt në detin Egje, të cilët supozohet të jenë të çmilitarizuar.
Në një fjalim më 3 shtator, presidenti turk e përshkroi kontrollin e ishujve nga Athina si një ‘pushtim’, duke vënë në dyshim statusin e tyre dhe tha se Turqia ‘do bëjë atë që është e nevojshme’ kur “të vijë koha”.