Policia ka dhënë detaje në lidhje me atentatin e ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Pavarësia” në qytetin e Durrësit.
Ditën e djeshme e sot u përfol në medie se shënjestra e atentatit ka qenë Akil Nerjaku, por ai nuk përmendet në njoftimin e policisë.
Sipas bluve të qytetit bregdetar, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar drejt një automjeti të parkuar në pronësi të një 52-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.
Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.