Pak minuta para fillimit të protestës së thirrur nga Partia e Lirisë, në periferi të Tiranës (për inceneratorët), Ambasada Amerikane, nëpërmjet një njoftimi zyrtar i bënte thirrje qytetarëve të saj të qëndronin larg protestës.
Kjo thirrje në dukje paradoksale sepse zor se gjendet ndonjë amerikan pranë varrezave të Sharrës e për më tepër protesta është njoftuar si simbolikë. Ky reagim në fakt motivohet nga arsye që nuk lidhen aspak me një rrezik për shtetasit amerikanë por lidhet vetëm me miqësinë personale dhe qokën që Yuri Kim i bën kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ndërsa Ambasadorja amerikane thuajse çdo javë vë theksin te reforma në drejtësi, në mënyrë të paskrupullt ajo nga ana tjetër përpiqet të demotivojë skandalin më të madh të dekadës së fundit dhe përpiqet të zhbëjë presionin publik mbi çështjen e inceneratorëve.
Ky njoftim i Ambasadës është i ngjashëm me mbështetjen e heshtur të tyre në vitet 2016-2018 ndaj politikës së kanabizimit të vendit, ku nga njëra anë ata bënin thirrje për reformën në drejtësi dhe nga ana tjetër neglizhonin plotësisht kanabizimin e plotë të vendit, shndërrimin e drejtorive të policisë në kartele narko-trafiku dhe kriminalizimin e shoqërisë shqiptare.
Ky njoftim i Ambasadës, në dukje rutinë dhe i zakonshëm është në fakt tregues shumë i qartë i dy elementëve:
a) Përfaqësuesit e SHBA-ve në Tiranë janë të pandjeshëm dhe nuk u intereson fare korrupsioni galopant dhe interesi publik i shqiptarëve kur ata kanë plane të tjera për personazhet e implikuar.
b) Deklarata e Ambasadës është një tjetër gur që po i vendoset murit që çdo ditë e më tepër po ndan aspiratat e shqiptarëve nga qëndrimet e kësaj ambasade.
Në thelb kjo deklaratë e turpshme e ambasadës është një akt publik për dekurajimin e hetimeve për inceneratorët.