Vendosni fjalën kyçe....

PD fajëson kryeministrin për sulmet kibernetike: U harxhuan 190 milionë euro për sigurinë kibernetike, por sistemet u rrëzuan si “mure prej kashte”


Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka dalë sot në një deklaratë për mediet, nga ku ka folur për sulmet e fundit kibernetike ndaj e-Albanias dhe sistemit TIMS që dyshohen se janë kryer nga Irani.

Garo ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar sistemin dixhital të të dhënavë të shqiptarëve. Sipas saj, kjo ka ndodhur për dy arsye, e para për shkak të qëllimeve elektorale dhe e dyta për shkak të korrupsionit në AKSHI.

“Duke analizuar këto sulme, të cilat asgjësuan sikur të ishte prej letre, infrastrukturën dixhitale të vendit, PD shton se asgjësimi me kaq lehtësi i kësaj infrastrukture i ka rrënjët në dy faktorë të tjerë madhorë:

Së pari, hakerimin e sistemit për qëllime elektorale nga vetë qeveria, duke pajisur 1 milion patronazhistë me të dhënat personale të qytetarëve, të depozituara në e-Albania, në shkelje të kushtetutes dhe ligjeve të vendit.

Pas këtyre, hakerimi me pasoja të rënda i pagave të punonjësve, targave të makinave, të gjitha këto paraprinë hakerimin dhe de facto asgjësimin e ‘shtetit’ dixhital të Edi Ramës.

Për të gjitha këto krime dixhitale qeveritare deri më sot, nga prokuroria e partisë nuk ka asnjë person apo grup personash të penalizuar. Qeveria qëndron mbi ligjet.

Së dyti, korrupsioni i tmerrshëm qeveritar, në këtë rast i AKSHI-t.”- tha Garo.

Gjatë fjalës së saj, zëdhënësja e PD-së tha se përpjekja për të fajësuar firmën amerikane që ka marrë përsipër mbrojtjen e sistemit, është thjesht përpjekje për të fshehur “vjedhjen e madhe dhe korrupsionin me 190 milionë euro tendera sekretë, apo të paracaktuara të Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.”

Deklarata e Floriana Garos

Shteti dixhital i Edi Ramës shkrihet si bryma para diellit.

Këto ditë, hakera të regjimit të ajatollahëve iranianë kanë ndërmarrë një agresion të vërtetë ndaj infrastrukturës dixhitale të vendit, duke kërcënuar rëndë sovranitetin e vendit, sigurinë kombëtare, dhe duke krijuar kaos të madh në shërbimet dhe levizjen e qytetarëve.

Me këto sulme, Irani ka dhunuar, si shtet zuzar, ligje dhe konventa ndërkombëtare. PD dënon me forcën më të madhe këto akte banditeske të regjimit teokratik iranian dhe falenderon me mirënjohje dënimin e këtyre sulmeve nga SHBA, NATO dhe BE.

PD gjithashtu vlerëson mbështetjen e tyre për Shqipërinë.

Duke analizuar këto sulme, të cilat asgjësuan sikur të ishte prej letre, infrastrukturën dixhitale të vendit, PD shton se asgjësimi me kaq lehtësi i kësaj infrastrukture i ka rrënjët në dy faktorë të tjerë madhorë:

Së pari, hakerimin e sistemit për qëllime elektorale nga vetë qeveria, duke pajisur 1 milion patronazhistë me të dhënat personale të qytetarëve, të depozituara në e-Albania, në shkelje të kushtetutes dhe ligjeve të vendit.

Pas këtyre, hakerimi me pasoja të rënda i pagave të punonjësve, targave të makinave, të gjitha këto paraprinë hakerimin dhe de facto asgjësimin e ‘shtetit’ dixhital të Edi Ramës.

Për të gjitha këto krime dixhitale qeveritare deri më sot, nga prokuroria e partisë nuk ka asnjë  person apo grup personash të penalizuar. Qeveria qëndron mbi ligjet.

Së dyti, korrupsioni i tmerrshëm qeveritar, në këtë rast i AKSHI-t.

Partia Demokratike deklaron se, një nga arritjet madhore të qeverisjes së viteve 2005-2013, ishte ndërtimi i një infrastrukture dixhitale, rritja vertikale e përdorimit të internetit nga 4.9% në vitin 2005 në 63% në vitin 2013, ndërtimi i resë së parë qeveritare në rajon, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendit, dixhitalizimi i plotë i Kadastrës së Tiranës dhe disa rretheve të vendit, dixhitalizimi i Gjendjes Civile, letërnjoftimet dhe pasaportat dixhitale, firma dixhitale dhe inagurimi i e- government dhe e-Albania.

Të gjitha këto u arritën me angazhimin e kompanive më të mira shqiptare dhe të huaja.

Pas ndërtimit të kësaj infrastrukture, objektivat më madhore mbeteshin sigurimi i plotë i sistemit dhe pasurimi i arkivës së saj.

Për sigurimin e sistemit, me rekomandimin e autoriteteve amerikane, direkt në vartësi të Këshillit të Ministrave, u ngrit njësia e mbrojtjes kibernetike të sistemit, e përbërë nga ekspertë të përzgjedhur dhe të kualifikuar në këtë fushë në SHBA.

Serverat e sistemit u vendosën në vendet më të sigurta brenda vendit.

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, aktin e parë që bëri, shkriu njësinë e sigurisë kibernetike duke e konsideruar si njësi spiunazhi dixhital.

Se dyti, me tendera të dyshimtë, serverat e sistemit u transferuan jashtë vendit.

Së treti, AKSHI shpenzoi me Gjelishtët e Bolinos, Beqon e Partisë, prapa të cilit rëndom qëndron Armando, baxhanaku i Ramës.

190 milion euro për sigurinë e sistemeve të cilët ndërtuan një mur të jashtëm prej kashte, dhe vodhën shumën dërrmuese të fondeve të alokuara për mbrojtjen e sistemeve.

Përpjekja për të fajësuar firmën amerikane që ka marrë përsipër mbrojtjen e sistemit, është thjesht përpjekje për të fshehur vjedhjen e madhe dhe korrupsionin me 190 milion euro tendera sekretë, apo të paracaktuara të Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Partia Demokratike dënon me forcë këto akte të rënda korruptive qeveritare dhe garanton se përgjegjësit e tyre do të mbajnë të gjithë përgjegjësinë ligjore që u takon.