Vendosni fjalën kyçe....

PS kundër ndryshimit të hartës territoriale, deputetja e PD-së: Kjo është tallje, do thërrasim referendum


Partia Socialiste rrëzoi sot një propozim të grupit parlamentar demokrat për të rritur numrin e bashkive nga 61 në 92 dhe qarqet nga 12 në 6 rajone.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se shërbimet në këto shtatë vite janë përmirësuar dhe nuk ka arsye të ndryshimit të numrit të bashkive.

“Në mbledhjen e sotme të grupit është referuar edhe një informacion lidhur me atë që kanë konkluduar anëtarët dhe ekspertët përgjatë punës së komisionit të reformës territoriale.

Anëtarët dhe ekspertët kanë konkluduar se mes propozimeve për një numër më të madh bashkish dhe propozimeve për një numër më të vogël bashkish, nisur edhe nga fakti që vetëm 7 vite kanë kaluar nga reforma e fundit, por edhe nga fakti që shërbimet publike janë përmirësuar, kemi konkluduar që pozicioni ynë në komision do të jetë që ti qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla.

 Bashkëkryetarja demokrate e komisionit të posaçëm të reformës territoriale, Dhurata Çupi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e konsideruar këtë një tallje me Parlamentin dhe partnerët që u angazhuan në një diskutim për ndryshimin e hartës territoriale.

Më pas Çupi theksoi se do të kërkojnë referendum për ndryshimin e hartës territoriale dhe do ia lënë qytetarëve të vendosin.

“Është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan në proçes.

Ështe tallje me parlamentin. Ështe shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proçes të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vertete elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bëre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgedhor.

Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve.”-shkruan Çupi.