Qeveria e Kosovës ka reaguar përmes një njoftimi lidhur me sulmet e fundit kibernetike, duke thënë se me ndihmën e ekspertëve të jashtëm e kanë tejkaluar sulmin dhe se janë parandaluar tentativat për përsëritje. Qeveria thotë se shërbimet e saj po funksionojnë pa pengesa tanimë dhe se të dhënat nuk janë cënuar.
“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.
Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.”- thuhet në njoftimin për mediet.
Posta e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se nuk ka ndërprerje të punës për shkak të sulmeve kibernetik.
“Ju njoftojë që Posta e Kosovës Sh.A. është funksionale në të gjitha zyrat postare, si dhe nuk kemi pasur ndërprerje nga ndonjë sulm kibernetik eventual.”– thuhet në njoftimin e Postës.