Rama pas kritikave mbi sulmet kibernetike: Një ligësi e neveritshme


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, pas kritikave që ka marrë prej disa ditësh për sulmet kibernetike ndaj e-albania dhe sistemit TIMS.

Sipas Ramës, kritikat që ka marrë tregojnë një padije dhe flasin për një “ligësi të neveritshme”

 “Kënaqësia që pjell kaq shumë trillime, shpotitje dhe akuza lidhur me sulmet kibernetike nga një shtet agresor, përveçse për padije të thellë mbi fushën e përtaci të madhe ndaj informacionit, flet për një ligësi të neveritshme në raport me vendin e me njerëzit e këtij vendi!”- shkruan Rama.

Pak më herët zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo e akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar sistemin dixhital të të dhënave të shqiptarëve. Sipas saj, kjo ka ndodhur për dy arsye, e para për shkak të qëllimeve elektorale dhe e dyta për shkak të korrupsionit në AKSHI.