Armenia ka akuzuar Azerbajxhanin për bombardimet me artileri dhe dronë në qytetet Vardenis e Tatev, brenda territorit të vendit.
Rikthimi i tensioneve në kufijtë mes dy vendeve vjen pas luftës 44-ditore në vitin 2020, që përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.
Sipas armëpushimit të arritur asokohe, trupat paqeruajtëse ruse u vendosën në Nagorno-Karabakh për të ruajtur zonat e banuara nga armenët, ndërsa territoret e tjera që më herët i përkisnin Armenisë iu dorëzuan Azerbajxhanit.
Sipas Ministria armene të Mbrojtjes, ushtria e Azerbajxhanit ka përdorur artileri të rëndë dhe drone në sulmet e orëve të para të së marrës. Një dron ‘Bayraktar’ i prodhuar nga Turqia dyshohet se u rrëzua mbi Vardenis, i cili është në Armeninë veriore dhe jo ngjitur me rajonin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë herët të martën për të hartuar ‘kundërmasa’ pas përshkallëzimit të fundit përgjatë kufirit me Azerbajxhanin.
“Përballë agresionit kundër territorit sovran të Republikës së Armenisë, u vendos që t’i drejtohemi zyrtarisht Federatës Ruse për të zbatuar dispozitat e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë.” – njoftoi qeveria në Jerevan pas takimit.
Si Rusia ashtu edhe Armenia janë pjesë e CSTO-së, një pakt mbrojtës i ndërsjellë, analog me bllokun e NATO-s të udhëhequr nga SHBA, i përbërë nga gjashtë ish-republika sovjetike duke përfshirë gjithashtu Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Taxhikistanin.
Më herët, Pashinyan zhvilloi telefonata të veçanta me presidentin rus Putin e atë francez Macron për ‘veprimet provokuese, agresive të forcave të armatosura të Azerbajxhanit kundër territorit sovran të Armenisë’.
Azerbajxhani nga ana e tij pretendon se bombardimet u provokuan nga Armenia, ndërsa ministria e mbrojtjes në Baku akuzoi “diversantët” armenë për minim të rrugëve dhe infrastrukturës në anën azerbajxhanas të kufirit gjatë fundjavës, duke shkaktuar një numër të paspecifikuar viktimash ushtarake.
Baku denoncoi gjithashtu si “të rreme” raportimet për një “pushtim të plotë” nga Azerbajxhani në territorin armen, duke pretenduar se ai po i përgjigjej vetëm “provokimeve armene”. Qeveria azere tha se Armenia ‘filloi provokime të gjera’ kundër forcave të armatosura të Azerbajxhanit, të cilat u përgjigjën me ‘zjarr intensiv’ ndaj pozicioneve armene.
Ministria azere e Mbrojtjes akuzoi ‘skuadrat e diversantëve’ armene se kishin minuar rrugët dhe kishin gjuajtur me mortaja ndaj pozicionevve të ushtrisë së Azerbajxhanit pranë qyteteve Basarkecher, Istisu, Garakilsa dhe Gorus, në anën azere të kufirit, duke shkaktuar ‘humbje mes personelit dhe dëme në infrastrukturës ushtarake’. Po kështu Azerbajxhani deklaroi gjithashtu se ka pasur humbje midis personelit dhe pajisjeve ushtarake të forcave të armatosura armene.
Përplasjet e mëngjesit të së martës janë një përshkallëzim i madh i tensioneve midis dy vendeve të Kaukazit. Azerbajxhani sulmoi Nagorno-Karabakun në fillim të gushtit pasi akuzoi Armeninë për shkeljen e armëpushimit të vitit 2020 dhe duke kërkuar ‘çmilitarizimin’ e plotë të zonës së banuar nga armenë etnikë dhe nxiti dënimin nga Rusia, e cila është një garantues i armëpushimit.
Nagorno-Karabakh njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit. Ajo ka qenë de-fakto e vetëqeverisur dhe ka gëzuar mbështetje nga Armenia që atëherë. Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë në mosmarrëveshje që kur shpallën pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, kryesisht për Nagorno Karabakun, që ishte brenda Azerbajxhanit, por kishte një popullsi me shumicë armene etnike.
Armenët mbizotëruan në fillim të viteve 1990, duke vendosur kontrollin mbi shumicën e enklavës dhe territoreve që e lidhin atë me Armeninë. Në shtator 2020, Baku nisi një fushatë për të rimarrë territorin, me ndihmën e dronëve të furnizuar nga Turqia.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Moska la gjysmën e Nagorno-Karabakut të banuar nga armenë dhe të mbrojtur nga paqeruajtësit rusë, ndërsa të gjitha territoret e tjera të kontrolluara më parë nga Jerevani iu dorëzuan Bakut.