Vendosni fjalën kyçe....

Xhevati i “Mrizit të Pishave”: Anglinë e gjeni këtu nëse punoni fort


Xhevat Jazaj është një sipërmarrës i cili ka ndërtuar një oaz në zemër të Dukatit, i quajtur “Mrizi i Pishave”.

Në një intervistë për Dritare TV ai tregon mrekullitë e vogla që ka krijuar e gatimet e ndryshme tradicionale si dhe pengun që i ka mbetur nga ikja e të rinjve nga vendi.

Zoti Xhevat ka ngritur një parajsë të vogël prej 9 vitesh, por kjo parajsë nuk duket t’i hyjë në sy djalit të tij, i cili së bashku me bashkëshorten janë larguar për në Angli para pak kohësh.

I habitur ai thotë se nuk e kupton arsyen e djalit për t’u larguar dhe me kokën nga porta pret çdo ditë që djali ta habisë, të ketë ndryshuar mendje dhe të kthehet.

Me hidhërimin që vetëm prindi mund ta ndiejë, ai na tregon se ka besim tek i biri, sepse është punëtor dhe i ndershëm e se së shpejti do e kuptojë që Anglinë e ka pikërisht këtu.

Pasionin për punën Xhevatit ia lexon që në sy, kur tregon se për këtë mrekulli të vogël që ka ngritur, ëndërron dhe shpreson kur mbyll sytë e ku zgjohet. I bukur është edhe mesazhi që ndan me ne në fund të intervistës. Nëse gjërat bëhen me dashuri të madhe, ky vend do jetë një parajsë.

“Historia e kuzhinës sonë është ndershmëria. Duhet ta duash shumë këtë punë dhe të punosh me shumë ndershmëri. Në kuzhinë gatuan bashkëshortja dhe më duhet të them që lodhja pas kësaj pune është shumë e madhe. Megjithatë ka edhe kënaqësi sepse në fund të ditës bëjmë një llogari, jo tek lekët sa fituam por sa njerëz na ikën të kënaqur.

Më tremb shumë ikja e punëtorëve, vetëm kjo me tremb sepse nga puna e lodhja nuk kam frikë. Në datën 11 im bir, që mbushi 25 vjeç, u largua për në Angli bashkë me bashkëshorten. Më habiti kjo gjë sepse me gjithë këtë mirësi që ne kemi krijuar këtu zgjodhi që të ikte. U ndjeva i pafuqishëm sepse nuk munda t’i mbushja mendjen djalit tim që të mos ikte që i ka gjithë të mirat këtu, jo më punëtorit. Jemi të pafuqishëm sepse është një trysni nga jashtë aq e fuqishme sa ne nuk kemi fare në dorë që t’i kthejmë pas ëndrrat e këtyre fëmijëve.

Djali im ka diçka të madhe këtu, por ka familje që janë edhe pa bukë dhe e kanë të domosdoshme të ikin. Unë jam shumë i hidhëruar me djalin, jo se më la punën se e di si e kam mësuar, është shumë punëtor. Unë e di që djali sot më ka hidhëruar, por një ditë do më befasojë. Besoj fort se do të kthehet shumë shpejt. Unë nuk dua para nga djali as dua gjë nga Anglia, Anglia e djalit është këtu. Këtu të vjen kinezi, italiani, gjermani, anglezi e ti vete u shkon nga mbrapa.

Për mua është paradoks që ai vjen këtu tek ne, në këtë biznes që e kemi ngritur me shumë mund, të zgjedh ty e ti në vend që ta vlerësosh këtë gjë, e lë gjithë këtë parajsë e i shkon nga mbrapa. I kanë dhe krahët e ngrohta, kanë një siguri sepse e dinë sa shumë e dua unë këtë punë dhe e dinë që do më gjejnë këtu kurdo që të kthehen.

Kjo më mërzit se ma ka kuptuar pikën e dobët. Ai e di që unë zgjohem me këtë në mendje, këtë ëndërroj dhe të nesërmen sërish kësaj ëndrre i dedikohem. Sikur njerëzit ta donin kaq shumë punën dhe të përkushtoheshin kaq shumë si unë, ky vend do ishte parajsë.’, thotë ai në Dritare TV.