Vendosni fjalën kyçe....

A cenohet sovraniteti i Shqipërisë pas sulmeve kibernetike? Ministri Peleshi: Jemi të paprekshëm


Në një dalje për mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u pyet nga gazetarët nëse ka informacione nga shërbimet sekrete të inteligjencës për ndonjë element që mund ta cënojnë fizikisht vendin tonë. Kjo pas sulmeve të fundit kibernetike.

Peleshi tha se Shqipëria “është e paprekshme” dhe nuk ekziston njuë skenar i tillë sepse jemi vend anëtar i NATO-s.

“Nuk jemi në ndonjë skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit të vendit tonë. Jemi anëtar të NATO-s jemi të paprekshëm. Asnjë pëllëmbë apo metër katror i territorit të NATO nuk është i cenueshëm se fuqia më e madhe ushtarake, politike në botë është NATO. Ne jemi pjesë e saj.

Por duhet thënë që jetojmë në Ballkanin Perëndimor dhe është në mos fronti i parë është fronti i dytë më i vështirë dhe më i brishtë sa i përket prishjes së ekuilibrave gjeo politikë por jemi larg ndonjë skenari të mundshëm të cenimit fizik. E keqja është se dhe sulmet kibernetike nuk është se bëjnë më pak dëm se sa sulmet fizike. Do na marrë shumë kohë, buxhet, rrjet forcimi i sigurisë kibernetike gjithashtu.”- tha Peleshi.

Ministri shtoi se SHBA, BE dhe NATO që po investohen për ta bërë vendin tonë të paprekshëm nga kërcënimi kibernetik.

“Dhe një herë e përsëris, për të mos ngjallur panik, por opimizëm në opinion, fakti që shumë pranë nesh në këtë përpjekje janë SHBA, NATO dhe BE. Pra jemi në një bllok shumë të fortë për ta mbyllur një herë e mirë këtë murin kibernetik e për ta bërë vendin tonë po aq imun sa dhe në sigurinë fizike.”- tha Peleshi.