Vendosni fjalën kyçe....

KPK shkarkon nga detyra prokurorin Julian Xhengo


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Julian Xhengo për probleme me pasurinë si dhe pastërtinë e figurës.

Xhengo e pati seancën e para para KPK-së me 9 shtator ku gjatë seancës dëgjimore hasi probleme të shumta si për sa i përket pasurisë ashtu edhe figurës.

Për sa i përket pasurisë prokurori u përball me një bilanc negativ të prindërve në investimet e kryera në një shtëpi private në Tiranë si dhe me mospërputhjet në transaksionet për blerjen e një makine, thuajse dy herë më lirë nga sa e kishte blerë pala shitëse.

Po kështu Xhengo u përball edhe me probleme me pastërtinë e figurës.

Sipas KPK-së, që iu referua dy raporteve të DSIK-së (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar), në njërin prej tyre është konstatuar papërshtatshmëri për dyshime për përfshirje në veprime të paligjshme.

Bëhet fjalë për një udhëtim të prokurorit Xhengo me mjetin në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar.

Prokurori nga ana e tij u mbrojt duke thënë se nuk kishte dijeni se pronari i mjetit ishte personi me iniciale Sh.Sh dhe se nuk e njihte personalisht atë e as nuk kishte dijeni se ishte i proceduar.