Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiakët e majtë francezë refuzojnë të ulin flamujt në gjysmështizë për Mbretëreshën Elisabeth II


Një numër kryebashkiakësh francezë kanë deklaruar se nuk do i ulin flamujt e tyre në gjysmështizë për të shënuar funeralin e Mbretëreshës Britanike Elizabeth II, duke argumentuar se koncepti i monarkisë është në kundërshtim me sistemin republikan të Francës.

Pas vdekjes së Elizabeth II të enjten, presidenti francez Macron ishte një nga krerët e parë të shtetit që bëri nderime për monarken më jetëgjatë të Britanisë. Ai e quajti atë ‘Mbretëresha e zemrave’, Pallati Elysee uli flamujt e tij në gjysmështizë të nesërmen dhe kryeministrja Elisabeth Borne udhëzoi bashkitë dhe ndërtesat e tjera publike të ndiqnin shembullin për funeralin shtetëror të Mbretëreshës të hënën e ardhshme.

Midis kryebashkiakëve të krahut të majtë të vendit, urdhri nuk ishte popullor.

“Kjo kërkesë më duket e pabesueshme.” – tha Yann Galut, kryebashkiaku socialist i Bourges.

“Unë e respektoj pikëllimin e miqve tanë anglezë, por nuk do ta vendos flamurin francez në gjysmë shtizë mbi ndërtesat komunale të qytetit.”

“Ne jemi një vend republikan. Pse duhet t’i bëj haraç një monarkeje të huaj?” –  i tha Galut më vonë televizionit France3.

 “Unë nuk do ta zbatoj urdhrin.” – tha kryetari i bashkisë Faches-Thumesnil, Patrick Proisy, një anëtar i partisë së krahut të majtë La France Insoumise.

“A bëhet kjo për të gjithë krerët e shteteve që vdesin? A ka Republika jonë preferencë për një monark, kreun e një kishe?”

“Si mund të jeni të logjikshëm duke vendosur flamuj në gjysmështizë në shkollat ​​tona ku shkruhet motoja: “Liri, barazi, vëllazëri”? Asnjë koncept nuk është më larg nga “barazia” sesa ai i monarkisë.” – vijoi Proisy.

Patrice Leclerc, një kryebashkiak i Partisë Komuniste për periferinë pariziane të Gennevilliers, ka deklaruar gjithashtu se ai do e injorojë direktivën, raportoi The Times.

Është e paqartë nëse kryetarët rebelë do përballen me ndonjë dënim për mosbindjen e tyre. Philippe Laurent, nënkryetari i shoqatës së kryebashkiakëve francezë, ka paralajmëruar se ata mund të përballen me pezullim. Megjithatë, deputeti i La France Insoumise, Hadrien Clouet, tha se kjo nuk ka gjasa, pasi Franca nuk ka ligje që përcaktojnë situatat në të cilat flamujt duhet të ulen.