Zëdhënësja e PD-së Floriana Garo deklaroi sot se selia blu e ka denoncuar ndërhyrjen direkte të kryeministrit Rama përmes Sekretarit Engjëll Agaçi për të mbyllur dosjen për financim rus të ish-kreut të PD-së Lulzim Basha te gjykatat e vendit.
Në një deklaratë për mediat lidhur me lajmin e Zërit të Amerikës për 500 mijë dollarë financim rus në PD gjatë vitit 2017, ajo tha se PD-ja do kërkojë një auditim të imtësishëm të brendshëm për çështjen në fjalë.
Garo shtoi më tej se Rama, i cili e akuzoi i pari Bashën për financim rus, e përdori këtë aferë për të marrë peng ish-kreun e PD-së me qëllim shkatërrimin e partisë.
Në fund zëdhënsja e selisë blu tha se PD-ja kërkon rihapjen e çështjes dhe transparencë të plotë për gjithçka ka ndodhur.
“PD-ja ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi, për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, për këtë aferë. PD, do u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimi e një komisioni të posaçëm. Raporti i auditimit do i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar si dhe do publikohet. Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor si një cenim flagrant të sovranitetit të vendit nga një agresor që po lan në gjak popullin mik të Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, axhendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e PD-së dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. PD kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës të gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët po tani i duhet të shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar PD-në. Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur i dosjes në Gjykatën e Lartë. PD kërkon transparencë e një proces të qartë publik. Ajo është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje dhe deklaron se misioni i saj ka qenë e vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ne ndajmë me partnerët tanë.” – tha Garo.