Vendosni fjalën kyçe....

Profil – Kush ishte Hetem Qerimaj, ‘babai’ i violinës shqiptare


I njohur si ‘babai i violinës’ në Shqipëri, dje mbylli sytë në moshën 88-vjeçare mjeshtri i madh Hetem Qerimaj. Artisti i madh e modest njëkohësisht la pas jo vetëm veprën e tij ndër vite po edhe një dinansti artistësh.

Hetem Qerimaj lindi në një familje përmetare ndërsa lidhjet e para me muzikën i kishte nga i ati. Mësimet e para të violinës Qerimaj i mori në Liceun Artistik në Tiranë ku tregoi talent të fuqishëm.

Brenda pak vitesh, ai do ftohej të luante në orkestrën e Teatrit të Operal e Baletit dhe më tej karriera e tij do vijonte sa në TOB e në Ansamblin e Shtetit. Në intervista të shumta të dhëna ai ka rrëfyere edhe sekretin e një instrumentisti dhe lidhjen e tij me veglën që luan.

“Kur e godet në një gjendje, që është e ëmbël.” – ka thënë Qerimaj.

Ndërsa për pasionin me të cilin luan ai violinën, sidomos në kabatë e trishta ai thotë se kujton dhimbjen e shpirtit të një njeriu, gjë që e bën ta ndjejë atë që luan.

Mjeshtri punoi në Ansamblin e Ushtrisë deri sa doli në pension. Qerimaj mori pjesë në turne të shumtë ndërkombëtarë ndërsa në Shqipëri ai vijoi t’i binte me dashuri violinës së tij deri në moshën 85-vjeçare.

Si mjeshtër i madh i kabasë mjeshtri Qerimaj mori pjesë në spektakle të shumta në vend, duke u dhënë shkëlqim me virtuozitetin, pasionin e finesën me violinën, të cilën nuk e lëshoi nga dora deri në fund.

Qerimaj ka lënë pas një dinasti artistësh që kanë ndjekur gjurmët e tij si i biri Fatos Qerimaj po edhe mbesën Klodi Qerimaj e nipin Valin Qerimaj.