Vendosni fjalën kyçe....

Elena Pici pas dorëheqjes si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme: Ishte vendim personal, mos spekuloni


Pas dorëheqjes nga posti si Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, Elena Pici ka reaguar në rrjetet sociale ku tregon se ishte një vendim personal, dhe jo sikurse raportohet në media.

“Pavarësisht se vlerësoj që emërimet apo lirimet e Sekretarëve të Përgjithshëm nuk duhet të përbëjnë lajm, për aq kohë sa ne jemi thjesht shërbyes publik në administratë, në kushtet e një raportimi të pavërtetë që po qarkullon në media, ndiej detyrën të sqaroj për atë pjesë të opinionin publik të interesuar se:

Unë kam pasur privilegjin të kem besimin e vazhdueshëm përgjatë dy viteve të Kryeministrit dhe Ministrit në kryerjen e një detyre të rëndësishme publike, atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, detyrë të cilën (përkundrejt gjithë spekulimeve mediatike, në disa raste dashakeqe në momentin e emërimit tim), ndiej se e kam kryer me përgjegjshmëri të plotë, me profesionalizëm dhe integritet dhe kurdoherë e mbeshtetur nga ekipi i Ministrisë së Brendshme.

Për këdo që do të besojë faktet dhe jo thashethemet, vendimmarrja për zhvillimin tim të karrierës në sektorë të tjerë është krejtësisht një vendim personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër sikundër është raportuar në disa media. Çdo spekulim dhe insinuatë që ngrihet, mund t’i shërbejë interesave të të tjerëve, por kurrsesi jo të vërtetës! Faleminderit!”– shkruan Pici.

Elena Pici erdhi në këtë detyrë në shtator të vitit 2020, pasi sekretari i mëparshëm i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca u largua nga posti.  Pici para kësaj, edhe pse në një moshë shumë të re, ka mbajtur postin e koordinatores në Kryeministri.