Vendosni fjalën kyçe....

Jep dorëheqjen sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici


Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Në letrën e dorëheqjes së Picit përmenden “motivet personale” si arsye për t’u larguar nga kjo detyrë, edhe pse në media po spekulohet se largimi i saj vjen pas debateve mbi aktin e fundit normativ për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë pa leje.

Pici ka reaguar në rrjetet sociale ku tregon se ishte një vendim personal, dhe jo sikurse raportohet në media.

“Për këdo që do të besojë faktet dhe jo thashethemet, vendimmarrja për zhvillimin tim të karrierës në sektorë të tjerë është krejtësisht një vendim personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër sikundër është raportuar në disa media. Çdo spekulim dhe insinuatë që ngrihet, mund t’i shërbejë interesave të të tjerëve, por kurrsesi jo të vërtetës! Faleminderit!”– shprehet ajo.

Elena Pici u emërua në këtë detyrë në shtator të vitit 2020, pasi sekretari i mëparshëm i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca u largua nga posti.  Pici para kësaj, edhe pse në një moshë shumë të re, ka mbajtur postin e koordinatores në Kryeministri.

Më parë ajo ka qenë e panjohur për publikun, megjithëse portretin e saj mund ta keni ndeshur në klipin e Alban Skënderaj, në këngën “Mirëmëngjes”.

Ajo është diplomuar në një universitet privat në Shqipëri, në departamentin e ekonomisë e më pas ndoqi studimet master në Britaninë e Madhe, në zhvillimin ekonomik në “London School of Economics and Political Science”.