Vendosni fjalën kyçe....

Kultivim kanabisi e mallra kontrabandë, dy të arrestuar në Mallakastër e Tiranë, një në kërkim


Dy persona janë arrestuar në Mallakastër e Tiranë pasi akuzohen për kultivim kanabisi e mallra kontrabandë.

Në Mallakastër është prangosur një 54-vjeçar me iniciale F.Ç. pasi në oborrin e banesës së tij, policia ka gjetur bimë të dyshuara kanabis të cilat u dogjën më pas.

Po kështu gjatë kontrollit në banesë, efektivët gjetën 3.5 kg lëndë të dyshuar kanabis në proces tharjeje.

Në Tiranë është arrestuar shoferi i një furgoni i cili është kapur duke transportuar mallra të dyshuara kontrabandë drejt një dyqani.

Në pranga ka rënë 59-vjeçari me iniciale H.B. ndërsa shitësja e dyqanit, 44-vjeçarja me iniciale A.Q. është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Ndërkohë pronari i dyqanit është shpallur në kërkim.

Njoftimi

“Operacioni policor i koduar “Gradishti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Mallakastër, në bashkëpunin me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier.

Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, vihet në pranga 54-vjeçari. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe 3.5 kg lëndë narkotike, në proces tharjeje. Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike në proces tharjeje, asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gradishti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-F. Ç., 54 vjeç, banues në Hekal, Mallakastër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Në oborrin e banesës së 54-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë u gjetën edhe 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Wares”. Sekuestrohen mallra dhe veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Vihet në pranga drejtuesi i një furgoni që u kap duke transportuar mallrat e dyshuara të kontrabanduara, drejt një dyqani. Shpallet në kërkim pronari i dyqanit që do merrte mallrat, procedohet penalisht shitësja. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wares”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– H. B., 59 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të hyrjes së tregut të Medresesë, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues shtetasin H. B., në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra dhe veshje, të dyshuara të kontrabanduara.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto mallra do t’i merrte shtetasi F. Q., 52 vjeç, pronari i një dyqani, i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja A. Q., 44 vjeçe, shitëse në këtë dyqan.”