SHBA i ka dërguar Polonisë një propozim për të ndihmuar në ndërtimin e gjashtë reaktorëve bërthamorë në vend në një përpjekje për të pakësar çlirimet e karbonit dhe për të hequr dalëngadalë qymyrin nga përdorimi, njoftoi Ministria e Klimës.
Propozimi iu dorëzua ministres së Klimës dhe Mjedisit të Polonisë Anna Moskëa nga ambasadori amerikan Mark Brzezinski. Ai sugjeroi që Uashingtoni dhe Varshava të krijojnë një udhërrëfyes të hollësishëm dypalësh për projektin e ndërtimit, i cili është caktuar të përfundojë deri në vitin 2040.
“Është më shumë se një ofertë tregtare. Ajo pasqyron 18 muaj punë dhe miliona dollarë të shpenzuara për analiza dhe vlerësime.” – tha një zëdhënës i Westinghouse Electric Company, një firmë amerikane që kërkon të marrë përsipër projektin.
Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer M. Granholm e quajti raportin ‘një hap të madh drejt zhvillimit të Polonisë të një industrie të fuqishme bërthamore civile që ka zero karbon dhe do çojë në një burim tjetër evropian të energjisë që është i lirë nga ndikimi rus’.
“Ky projekt ka fuqinë për të siguruar që populli polak mund të marrë teknologjinë bërthamore më të sigurt, më të përparuar dhe të besueshme.” – shtoi politikania.
Qeveria polake pret që partneri në programin e saj bërthamor të marrë 49% të aksioneve në kompani dhe të ndihmojë në menaxhimin dhe financimin e centraleve, pasi të sigurojë teknologjinë për to.
Qeveria në Varshavë do shqyrtojë tani propozimin e SHBA-së dhe do marrë një vendim përpara bisedimeve vjetore mbi çështjet e teknologjisë këtë vjeshtë.
Oferta e Uashingtonit vjen menjëherë pasi Polonia pretendoi se ishte bërë ‘lokomotiva e zhvillimit’ për të gjithë Evropën, ndërsa vinte në pikëpyetje politikat e supozuara të gabuara energjetike të Gjermanisë, të cilat e kanë lënë vendin në ‘rrënoja’.