Është zbardhur peticioni me 9 pikë e i pedagogëve drejtuar qeverisë, teksa sot ata zhvilluan një protestë para Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Kërkesa kryesore e thelbësore e pedagogëve është rritja e pagave për ta dhe stafin ndihmës, akademik e administrativ.
Kërkesa të tjera të pedagogëve përfshijnë rritjen e financimit për kërkimin shkencor, rivendosjen e shtesave mbi pagë, rritjen e shtesës mbi pagë bazuar në vjetërsinë në punë, rritjen e pagës së orëve të ngarkesës suplementare për pedagogët, rivlerësimin e orës mësimor pas një zbritjeje prej 50% të pagesës së orës mësimore e rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës.
Gjatë protestës ata deklaruan se ia kanë dërguar më herët kërkesën qeverisë por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata kanë kërkuar që Shqipëria të barazohet me Kosovën për sa i përket pagave të pedagogëve duke kërkuar dy rritje, një me rritje 30% në tetor 2022 dhe një me 20% në tetor 2023.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë, Sandër Kovaçi, tha gjatë protestës se kërkesat janë minimaliste dhe se nuk do të ketë negocime. Gjithashtu theksoi se nëse nuk do ketë asnjë masë do të ketë bojkotim të mësimit.
“Me rritjen e çmimeve në jemi të prekur se Kosova. Pedagogët e Kosovës paguhen 50 % më shumë. Vendimet do të merren në mënyrë të herë pas hershme sipas diskutimeve. Këto janë kërkesa minimaliste, nuk kanë çfarë negociohet. Kemi kërkuar t’i përafrohemi Kosovës. Këtu janë përfaqësues të të gjitha rretheve. Kjo është protesta e parë simbolike, ka pasur vetëm përfaqësues. Në protestën e dytë besoj do të jetë një masivizim më i madh. Ka 18 vjet që nuk na indeksohen pagat dhe as na rriten.” – tha ai.