Vendosni fjalën kyçe....

“Që të kemi sukses duhet që sanksionet të godasin rusët e zakonshëm” – Kryeministrja finlandeze


Kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha se sanksionet e BE-së, duke përfshirë pezullimin e plotë të një marrëveshjeje për lehtësimin e vizave me Rusinë, ‘nuk janë të mjaftueshme’. Ajo sugjeroi që rusët e zakonshëm duhet të ndjejnë presion në jetën e tyre të përditshme.

“Ne duhet të jemi gati të marrim më shumë sanksione sepse sa më shumë ndikim të kemi me sanksionet, aq më e shtrenjtë do të jetë për Rusinë që të vazhdojë këtë luftë.” – tha Marin në Parlamentin Evropian.

Nuk është hera e parë që Marin sugjeron lëvizje kundër popullsisë së zakonshme ruse që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.

“Nuk është e drejtë që rusët mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë.” – i tha Marin medias shtetërore ‘Yle’ më 8 gusht. Kjo deklaratë iu bë jehonë të nesërmen nga kryeministrja estoneze Kaja Kallas, e cila shkroi në Twitter se ‘të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore’.

Më 9 shtator, Këshilli Evropian njoftoi pezullimin e plotë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave ndërmjet BE-së dhe Rusisë. Masa nuk imponon një ndalim të plotë, por rrit tarifën e aplikimit për vizë për shtetasit rusë nga 35 në 80 euro për të gjithë aplikantët.

Koha e përpunimit gjithashtu mund të zgjatet nga 10 ditët e tanishme në deri në 45 ditë, e kombinuar me nevojën për paraqitjen e dokumenteve shtesë. Sipas Komisioneres për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson, e cila prezantoi planin më 6 shtator, ‘të jesh turist në BE nuk është një e drejtë themelore’.

Deri më tani, nëntë vende evropiane kanë kundërshtuar të pranojnë dokumente për viza turistike nga rusët, sipas Shoqatës së Operatorëve Turistik të Rusisë. Lista përfshin Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Danimarkën, Belgjikën dhe Holandën.

Megjithatë, një propozim i plotë për ndalimin e vizave për të gjithë turistët rusë nuk ka arritur të fitojë mbështetje të njëzëshme në bllok. Gjermania, Franca, Hungaria, Luksemburgu dhe Austria kanë ngritur kundërshtime.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell paralajmëroi gjithashtu kundër masës.

“Unë nuk mendoj se ndërprerja e marrëdhënieve me popullsinë civile ruse do ndihmojë dhe nuk mendoj se kjo ide do ketë njëzëshmërinë e kërkuar.” – tha ai për ORF TV të Austrisë më 29 gusht.