Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka zbardhur takimin e Yuri Kim me Kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe atë të PD-së Enkelejd Alibeaj.
Në njoftimin e Ambasadës thuhet se Balla, Alibeaj dhe Kim diskutuan mbi gjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Yuri Kim i vuri në dukje dy drejtuesve të grupeve rëndësinë për transparencë dhe llogaridhënien si dhe të refuzojnë përpjekjet për minimin e demokracisë së Shqipërisë.
“Yuri Kim u takua me drejtuesit e dy grupeve parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri.
Ambasadorja Kim vuri në dukje se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e të gjitha institucioneve, të refuzojnë përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, të përmirësojnë rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë me vendosmëri përpara për të përmbushur kërkesat për anëtarësim të plotë në Bashkimi Europian. Ajo theksoi gjithashtu se tani është koha për të intensifikuar zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Kuvendi e miratoi unanimisht në vitin 2016 dhe që ka filluar të japë rezultate”-njofton Ambasada.