Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Dënoj tenderat korruptivë në fushën dixhitale, thirrje për ndihmë NATO-s dhe SHBA-ve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet ka reaguar për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, që thuhet se është kryer nga Irani.

Duke e quajtur këtë një “akt zuzar”, Berisha thotë se i dënon tenderat korruptivë në fushën dixhitale, ndërsa bëri thirrje për NATO-n dhe SHBA-në, që të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer këtë agresion.

“E konsideroj një agresion ndaj shtetit shqiptar sulmin kibernetik të ajetullahëve të Teheranit ndaj sistemeve digjitale të Shqipërisë.

Në një akt zuzar, regjimi iranian ka sulmuar dhe ka devastuar sistemet digjitale të vendit, çmimin e madh për të cilin e paguajnë qytetarët në shërbime, në sigurinë e tyre, jo vetëm shqiptarët.

Sulmi që nisi me portalin e Albania, kaloi në sistemin TIMS më vonë pa asnjë lidhje me portalin e Albania, dhe dje është shtrirë në sistemin e Gjendjes Civile.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto sulme që në një formë përfaqësojnë një dhunim të rëndë të sovranitetit, agresion në infrastrukturë për shërbimet e sigurinë e cdo vendi.

Dënoj gjithashtu pa hezitim qendrimin e papërgjegjshëm të qeverisë së Edi Ramës, i cili filloi zyrtarisht lojën kriminale me sistemet digjitale të vendit, duke nxjerrë për patronazhistët të dhënat personale në kundërshtim me kushtetutën e ligjet të 1 milionë shqiptarëve, duke nxjerrë targat në një mbështetje të fuqishme për krimin, duke nxjerrë rrogat në një goditje të rëndë për biznesin, duke nxjerrë telefonat, kartat e ID dhe me radhë.

Për të gjitha këto akte të shtrira në vite, në Shqipëri nuk ka asnjë të dënuar, asnjë të burgosur, ndonëse përbënin dhunim të rëndë të ligjeve të vendit.

Së dyti, dënoj me forcën më të madhe tenderat korruptivë të ndërtimit dhe mbrojtjes së këtyre sistemeve, përpjekjet për të ndërhyrë në sistemet në Kosovë kanë qenë të mëdha por mbrojtja ka qenë e shkëlqyer, sepse 200 mln euro kanë përfunduar në xhepat e baxhanakëve me shokë e nuk kanë përfunduar në teknologji mbrojtëse të sistemeve tona digjitale.

Përpjekjet për të fajësuar kompaninë amerikane janë përpjekje për të fshehur vjedhjet që kanë bërë.

Në këtë kontekst, i bëj thirrje NATO-s, SHBA, me një ekip të gjithanshëm, të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer këtë agresion, duke shqyrtuar të gjithë situatën e sistemeve dixhitale në Shqipëri.”– tha Berisha.