Në konferencën e sotme për mediet, kreu i PD-së Sali Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se po sillet si agjent i Kremlinit.
Në komunikimin e sotëm me gazetarët, Berisha e akuzoi Ramën për mbylljen e dosjes ruse të Lulzim Bashës.
“Gjithashtu, PD dhe Sali Berisha ka denoncuar, ka kundërshtuar me protesta të fuqishme, dhe dënon me forcën më të madhe orientimin serbo-rus të politikës së jashtme të Shqipërisë në kuadër të aleancës trelaterale Beograd-Shkup-Tiranë apo Ballkanit të Hapur.
PD dënon me ashpërsinë më të madhe, mbrojtjen absurde që Edi Rama i bën qëndrimit filorus të Beogradit, shndërrimit sot më shumë se kurrë pas agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, të Serbisë së Putinit të Vogël, në një prapavijë shumë të rëndësishme të Moskës.
Mbrojtja që i bën Edi Rama qëndrimit anti-sanksione të Beogradit për Rusinë, është në sintoni të plotë me mbrojtjen që i bën Vladimir Putini dhe është në kundërshtim flagrant me interesat e kombit shqiptar dhe interesat e rajonit dhe aleancës së Atlantikut.
Edi Rama sillet hapur si agjent i Kremlinit. Çfarë është kjo që del ky në çdo samit dhe i kërkon Serbisë, të mos respektojë sanksionet ruse.
Serbia shërben si një prapavijë e fuqishme e Moskës. Si mundet një anëtar i NATO-s të mbrojë aksin Moskë-Beograd? E mbron se është i detyruar.
Ndaj duhet të mësohemi të kërkojmë më shumë efekte, sesa gjëra konkrete.
Ky bëhet avokat i interesave ruse në rajon, duke mbrojtur qëndrimin e Vuçiçit. Kush tjetër e mbron kështu Vuçiçin? Unë di miq të Vuçiçit që nuk e mbrojnë.”– tha Berisha.