Ish-kryeministri Fatos Nano ka festuar ditën e sotme 70-vjetorin e tij të lindjes mes familjarësh dhe miqve të ngushtë.
Kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali, i cili është edhe nipi i ish-kryeministrit, ka ndarë disa foto nga festa ku ai shfaqet në krah të bashkëshortes së tij, Xhoana Nano.
“Mentori im! Të qofshin të shumta vitet dhe i gëzofsh me zemrën plot! Ky rrugëtim i imi nuk do të kishte qenë i njejti pa mbështetjen, bekimin dhe këshillat e tua!
Kam mbledhur çdo urtësi tënden që ma ke dhuruar me shumë bujari në çdo takim a bisedë të gj atë që shkëmbejmë bashkë dhe i ruaj si pasurinë më të vyer! Shëndet e jetë të gjatë”, – shkruan Krali në postimin e tij.
Nano mori urime edhe nga Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm duke e quajtur atë kryetar.
“Edhe 100 kryetari ynë dhe vetëm përpara, me shëndet, humor e harmoni në familjen tënde, po edhe me punë të mira e të tjera fitore në këtë familjen e përbashkët politike, që do të ketë gjithnjë nevojë për mbështetjen e këshillat e tua”, – shkroi Rama.
Urime për ditëlindjen e Nanos pati edhe nga socialistë të tjerë që bashkëpunuan me të apo edhe nga zyrtarë të sotëm në Partinë Socialiste.