Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur në një intervistë televizive për takimin që pati një ditë më parë me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe dyshimet e SHBA-ve për financimin rus të PD-së.
Kryemadhi tha për “Euronews Albania”, se gjatë takimit nuk u përmend emër konkret, qoftë individual apo të një partie politike. Por ambasadorja Kim kërkoi vigjilencë nga partitë politike në lidhje me financimet që mund të vijnë nga Rusia.
“Takimi ishte takim zyrtar, u fol për transparencën financiare, sepse në të ardhmen, edhe në kuadrin e komisionit për reformën zgjedhore, një nga pikat kryesore është financimi i partive politike sidomos sa i përket përdorimit të parave në fushatat elektorale. Çështja e financimeve ruse është bërë emergjente mund ta quaj, për shkak edhe të interferimit në jetën politike shqiptare.
Ajo çka ne shikojmë osot, ne kemi një sistem të instaluar si në Rusi, deri vjet ne kishim një opozitë të kapur që bënte si fasadë. Nuk më vjen mirë që në një investigim në SHBA, nxjerr qeverinë e Shqipërisë apo edhe partitë politike. Influenca ruse në Shqipëri e ka disntancuar Shqipërinë nga Bashkimi Evropian. Emergjenca që kërkoi ambasadorja dje ishte që vigjilenca e partive politike të ishte e jashtëzakonshme. Ambasadorja amerikane ishte shumë e qartë, ishte zyrtare në deklaratën e saj, nuk u përdor asnjë emër individual as parti politike.”- tha deputetja e PL-së.
Takimi i djeshëm mes ambasadores Kim dhe disa përfaqësuesve të partive politike u zhvillua në ambientet e KQZ-së.
Ky takim erdhi pas raporteve në medie, se inteligjenca amerikane besonte se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë Partinë Demokratike në vitin 2017. Akuza që janë mohuar nga ish-kryetari Lulzim Basha.