Vendosni fjalën kyçe....

Monika Kryemadhi: Jo vetëm Basha, edhe Rama akuzohet për financime ruse


Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi thotë se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, janë të dyja që akuzohen për financime ruse.

Në intervistën që dha paraditen e sotme për “Euroneës Albania”, Kryemadhi komentoi shkrimin e një mediaje amerikane që ka zbuluar lidhjet e pretenduara me Rusinë të kryeministrit Edi Rama.

“Ka dy parti të cilat akuzohen sot për financime ruse. Një herë zoti Basha që ka pasur një proces dhe të cilën e ka mbyllur për procedurë. Dje, kemi një media në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka bërë prezent angazhimin e kryeministrit shqiptar me një nga ish-drejtuesit të një institucioni ne SHBA që e lidh me financimet ruse në këtë shtet.

Mungesa e një transparence ka bërë të mundur që të inteferojë në jetën politike shqiptare, jo paratë ruse, sepse paratë ruse kanë qenë mjeti për të interferuar interesat ruse në Shqipëri.”- tha Kryemadhi.

Sipas medias amerikane, një dokument i siguruar nga “Insider”–i zbuloi se hetuesit po shqyrtonin marrëdhëniet e biznesit të McGonigal me një ndihmës të lartë të Oleg Deripaska, oligarku miliarder rus, i cili ishte në qendër të akuzave për bashkëpunimin e Rusisë me fushatën e Donald Trumpit për ndërhyjnë në zgjedhjet e 2016-ës.

Dy burime i thanë “Insider”-i se McGonigal ishte i afërt me Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sipas një email-i të rishikuar nga “Insider”-i, McGonigal përdori llogarinë e tij zyrtare të email-it të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një firme amerikane që kryeministri po mendonte të angazhonte për nismën kundër korrupsionit. Në fund, FBI-ja nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe ai nuk u zhvillua kurrë.