Vendosni fjalën kyçe....

Putin nuk lejohet të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës, Kremlini: Veprim imoral


Rusia ka reaguar pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, për të mos pranuar asnjë zyrtar rus në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth.

Zëdhënësja e Kremlinit për Ministrinë e Jashtme Maria Zakharova e ka konsideruar këtë si një vendim “thellësisht imoral”, dhe shtoi se Rusia pavarësisht kësaj ia përcjell ngushëllimet e saj popullit britanik.

“Zyra e Jashtme Britanike informoi ambasadën ruse në Londër për vendimin e saj për të shmangur ftesën e Rusisë, përfshirë zyrtarë të lartë të ambasadës, për të marrë pjesë në ceremonitë e zisë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.”- tha Zakharova sipas TASS.

Ajo vazhdoi: “Ne besojmë se përpjekja e Mbretërisë së Bashkuar për të përfituar nga një tragjedi kombëtare që preku zemrat e miliona njerëzve anembanë botës për të larë hesapet me ne gjatë ditëve të zisë është thellësisht imorale.”

Megjithatë, zëdhënësja Zakharova shtoi se Rusia po i dërgon ngushëllime të përzemërta popullit britanik për humbjen e tyre të madhe.