Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti thotë se në Kosovë mund të ketë luftë


Kryeministri i Kosovës Kurti, ka shprehur shqetësimin se Serbia po armatoset me armë e pajisje nga Rusia dhe Kina, ndërsa ka pohuar se ekziston mundësia për luftë në Kosovë.

Në një intervistë të dhënë për gazetën kroate ‘Vecernji list’, Kurti ka thënë se do ishte e papërgjegjshme të thuhej se s’do të ketë kurrë më konflikt dhe luftë, shkruan Koha.

“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe veprimtari të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar, dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake, të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’, ka pyetur Kurti.

Ai foli edhe për kundërshtimin e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke thënë se kjo do ishte parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re.

Kurti shtoi se se përderisa serbët e ëndërrojnë ende Kosovën si pjesë e Serbisë, ato ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti flet për mundësi të luftës në Kosovë. Në gusht të këtij viti, në një intervistë për gazetën italiane ‘La Repubblica’, Kurti pati thënë se Kosova rrezikon luftën pasi pas Serbisë ndodhet Rusia.