Vendosni fjalën kyçe....

Digjet transformatori kryesor, Durrësit do ketë probleme me ujin dy ditët e ardhshme


Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës ka njoftuar qytetarët që të marrin masa pasi mund të kenë probleme për sa i përket furnizimit me ujë në dy ditët në vijim.

Në njoftimin e UKD-së thuhet se shkak për këtë është vërë një defekt i shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm në transformatorin kryesor që furnizon me energji ndërmarrjen.

Kjo do çojë në furnizimin e pakësuar me ujë të qytetarëve në Durrës e zonës përreth ndërsa sipas UKD-së po punohet me të gjitha mjetet për riparimin sa më parë të problemit.

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës, njofton abonentët se mund të ketë problem në furnizimin me ujë gjatë dy ditëve të ardhshme. Shkak është bërë një defekt që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, i shkaktuar nga moti i keq dhe shkarkimet e shumta, në zonën e Fushë Milotit. Për shkak të këtyre shkarkimeve, transformatori kryesor i tensionit 35/20 kv është dëmtuar dhe i gjithë stacioni është jashtë kushteve të punës. Grupet e punës së OSHEE dhe të Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës ndodhen në terren për të zëvendësuar transformatorin e djegur. Si pasojë e situatës emergjente, gjatë ditës së sotme dhe nesër, do të ketë reduktim të orarit të furnizimit me ujë për të gjithë bashkinë e Durrësit dhe zonat rurale. Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës kërkon ndjesë dhe mirëkuptim për shqetësimin e krijuar.” – thuhet në njoftimin e UKD-së.