Facebook ka raportuar përdoruesit në njësinë e terrorizmit të brendshëm të FBI-së për ndjenjën e shfaqur kundër autoritetit, raportoi të mërkurën New York Post, duke cituar burime të Departamentit të Drejtësisë (DOJ).
“Facebook-u i siguron FBI-së biseda private të cilat mbrohen nga Amendamenti i Parë.” – pohuan burimet, duke shpjeguar se kjo është bërë ‘jashtë procesit ligjor dhe pa ndonjë shkak të mundshëm’.
Thjesht shprehja e shqetësimit për legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA ishte e mjaftueshme për t’i vënë përdoruesit në dyshim e ‘me flamur të kuq’, thanë ata.
Copëza nga ato mesazhe, që shpesh theksonin ‘komentet më skandaloze jashtë kontekstit’, iu ofruan zyrave të FBI-së aty pranë.
Pas marrjes së tyre, zyrat vendase mund të kërkonin thirrje nga zyra e prokurorit të tyre partner në SHBA, në mënyrë që të merrnin ligjërisht mesazhet private që u ishin treguar tashmë nga Facebook jashtë procesit ligjor, pohuan burimet e NY Post.
Asnjë nga hetimet e mëvonshme të FBI-së nuk zbuloi ndonjë veprimtari kriminale ose të dhunshme, thanë burimet.
“Ishte një humbje kohe nga ana jonë.” – u ankua një burim, duke përshkruar një furi kërkesash për thirrje dhe aktivitete të tjera gjatë 19 muajve të fundit që synonin të mbështesnin pretendimet e bëra nga administrata e Presidentit Biden në lidhje me kërcënimin e paraqitur nga vendasit pas trazirave të 6 janarit në Kapitol.
Përdoruesit e shënjestruar nga Facebook për këtë lloj mbikëqyrjeje ishin të gjithë ‘amerikanë, të cilët ishin të zemëruar pas zgjedhjeve dhe flisnin për organizimin e protestave’, tha burimi, duke shtuar se ‘nuk kishte asgjë kriminale, asgjë për dhunën, masakrimin apo vrasjen e dikujt’.
Facebook fillimisht i quajti pretendimet e burimeve të Departamentit të Drejtësisë ‘të rreme’ përpara se të lëshonte një deklaratë të dytë një orë më vonë duke i cilësuar ato si ‘të gabuara’, duke këmbëngulur se marrëdhënia e kompanisë me FBI-në ishte ‘projektuar për të mbrojtur njerëzit nga dëmtimi’ dhe jo për dhënien e emrave që shprehin ndjenja antiqeveritare, forcave të rendit.
“Ne shqyrtojmë me kujdes të gjitha kërkesat e qeverisë për informacion për t’u siguruar që ato janë ligjërisht të vlefshme dhe të përshtatshme.” – tha në deklaratë Erica Sackin, një zëdhënëse e kompanisë mëmë Meta.
FBI pranoi se merr informacion ‘me vlerë hetimore’ nga ofruesit e mediave sociale dhe se ‘ruan një dialog të vazhdueshëm për të mundësuar një shkëmbim të shpejtë të informacionit të kërcënimit’, por as nuk do konfirmonte dhe as mohonte pretendimet specifike të bëra nga sinjalizuesit e Departamentit të Drejtësisë.