Vendosni fjalën kyçe....

“Gjermania do ketë ushtrinë ‘më të pajisur’ në Evropë, Rusia kundërshtari kryesor” – Scholz


Ushtria gjermane duhet të marrë një rol udhëheqës në forcimin e sigurisë evropiane, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz. Ai gjithashtu premtoi më shumë fonde për forcat e armatosura të vendit, ndërsa tha se Rusia është kundërshtari kryesor për të ardhmen e parashikueshme.

Duke folur në një konferencë të Bundeswehr-it në Berlin të premten, Scholz tha se përparësia e qeverisë së tij ishte të kthente ushtrinë e vendit në një ‘shtyllë themeli’ të mbrojtjes së Evropës. Ai përmendi ofensivën e Rusisë kundër Ukrainës si pikën e kthesës që e shtyu Berlinin të rivlerësonte rolin e tij në kontinent dhe brenda NATO-s.

“Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësinë në një pozicion udhëheqës.” – tha Scholz, duke shtuar se ushtria gjermane duhet të bëhet ‘forca goditëse më e pajisur në Evropë’ në muajt dhe vitet në vijim.

Kancelari vuri në dukje se Bundesëehr-i tashmë po luan një rol kyç në ofrimin e sigurisë në krahun lindor të NATO-s. Një tjetër ‘detyrë herkuliane’ e pret Berlinin vitin e ardhshëm, kur vendi drejton Task Forcën e Përbashkët të Gatishmërisë së aleancës ushtarake, tha ai.

Scholz vazhdoi duke thënë se ai pret që Rusia të mbetet kundërshtari kryesor i Bashkimit Evropian për të ardhmen e parashikueshme. Për të kundërshtuar në mënyrë efektive këtë kërcënim të perceptuar, ushtria gjermane duhet të adresojë ‘boshllëqet ekzistuese të aftësive’, tha kancelari.

Detyra e parë e Berlinit do të jetë t’i sigurojë Bundeswehr-it më shumë armë, municione, pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje sa më shpejt të jetë e mundur. Gjermania ka krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar ushtrinë e saj.

Scholz pranoi se Gjermania prej kohësh i është shmangur të pasurit e ushtrisë si prioritet. Ndërsa ushtria bëri një punë të mirë për të ofruar ndihmë humanitare në shtëpi gjatë pandemisë Covid 19 dhe përmbytjeve vitin e kaluar, ‘misioni kryesor i saj duhet të jetë gjithmonë mbrojtja e lirisë në Evropë’, argumentoi Scholz.

Ai u zotua të vazhdojë të rrisë fondet për ushtrinë dhe u zotua se buxheti vjetor i mbrojtjes i Gjermanisë do arrijë objektivin prej 2% të PBB-së së vendit, një nivel që SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh brenda NATO-s.