Vendosni fjalën kyçe....

Nëntë në dhjetë italianë planifikojnë të shkurtojnë shpenzimet për të paguar energjinë – Sondazhi


Shumica dërrmuese e italianëve po planifikojnë të pakësojnë shpenzimet në muajt e ardhshëm në mënyrë që të jenë në gjendje të paguajnë faturat në rritje të energjisë, tregoi një sondazh i Ipsos për shoqatën italiane të biznesit Confesercenti.

Sipas sondazhit, 73% e italianëve thanë se kanë vështirësi ose thjesht nuk janë në gjendje të përballojnë rritjen e faturave të energjisë. Ndërkohë, për të paguar faturat, 92% e të anketuarve thanë se planifikojnë të shkurtojnë shpenzimet, duke filluar nga restorantet, baret, pushimet dhe veshjet.

“Hija e faturave të larta dhe inflacionit shtrihet gjatë Krishtlindjeve dhe më gjerë. Dobësimi i fuqisë blerëse të familjeve do përkthehet në një ngadalësim të mprehtë të konsumit.” – thotë Confesercenti në raportin e saj mbi rezultatet e anketës, duke vënë në dukje se pret një rënie prej 2.5 miliardë eurosh të shpenzimeve në tremujorin e tretë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021.

Kompania pret që bizneset, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, të goditen së bashku me familjet, ‘pasi ata e gjejnë veten të ngjeshur mes rritjes së kostove për energjinë elektrike dhe gazin dhe ngadalësimin e konsumit’.

“Energjia është një aset parësor, i cili është bazë për kryerjen e çdo aktiviteti ekonomik. Nëse kjo bëhet një pasuri e rrallë, ajo shkatërron rrjetin e biznesit dhe minon kohezionin social.” – komentoi Presidentja e Confesercenti Patrizia De Luise.

Ajo i bëri thirrje qeverisë të marrë masa të mëtejshme për të mbështetur ekonominë, duke theksuar se ato duhet të përqendrohen në ‘sigurimin e qëndrueshmërisë së aktivitetit ekonomik’.

Inflacioni në Itali arriti në 8.4% në gusht, më i larti në mbi 36 vjet, i nxitur nga rritja e çmimeve për mallrat e energjisë (44.9% kundrejt 42.9% në korrik) dhe ushqimet e përpunuara (10.5%).