Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Paloka, ka hedhur poshtë të ketë dijeni lidhur me çështjen e lobimit asokohe duke iu referuar lajmit të Zërit të Amerikës për lobimin rus në vlerën 500 mijë dollarë në vitin 2017.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 , zyrtari demokrat tha se drejtuesit e selisë blu kanë kërkuar që çështja të hetohet pas daljes së lajmit të Zërit të Amerikës, që citon një zyrtar të paidentifikuar në DASH.
“Kjo çështje është ngritur disa vite më parë nga kryetari i grupit socialist, në atë kohë pati një reagim të Bashës, askush prej nesh dhe as drejtuesit e tjerë të PD në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë kohë, as për faktin që deklaroi Basha për lobimin në SHBA. Në atë kohë, si Basha, edhe unë, e kemi mohuar pavarësisht se nuk kishim dijeni, por i besoj kryetarit tim jo Taulant Ballës. Patëm një bisedë me Bashën dhe më tha të njëjtat fjalë që deklaroi publikisht, madje unë i thashë se s’kemi nevojë të paguajmë për lobim apo takime. Sot jemi në një situatë më ndryshe sepse nuk është më Balla që ngre akuza, por një akuzë që vjen nga një zyrtarë i DASH, transmetuar në Zërin e Amerikës. Në këto kushte, kemi kërkuar të hetohet çështja. Nëse deklarimet e Bashës janë ato që ka bërë në atë kohë dhe më pas kanë ndryshuar, tregon se nuk ka qenë as i sinqertë me ne, sepse i ka thënë Berishës se janë para të mbledhura nga komuniteti shqiptar në SHBA.” – tha Paloka.
Ai shtoi më tej se përgjegjësia për çështjen në fjalë është e ish-kreut të PD-së Basha dhe se do bëhet një auditim për financat në parti.
Po kështu Paloka theksoi se çështja nëë fjalë mund të jetë ajo me të cilën është mbajtur peng Basha duke shtuar se kjo gjë do hetohet.
“Nëse flitet për përgjegjësi, është totalisht e Bashës sepse asnjë prej nesh nuk ka pasur informacion. Sot nga gjërat që dalin shoh se kamë qenë në hije për shumë gjëra. Në këtë këndvështrim, lidhur me çështjen janë para ruse apo jo, shpresoj dhe besoj se nuk ka pasur arsye pse të hynte dhe Basha në një marrëdhënie të tillë, por kemi kërkuar hetim të drejtësisë amerikane, dhe ne brenda PD do bëjmë auditimin për financat e PD. Basha të njëjtat që gjëra që i ka thënë Berishës më ka thënë dhe mua, dhe unë dua ta besoj se është ashtu. Për mua është tjetër gjë që lidhet me këtë çështje, atëherë rezulton se ajo që thuhet se mbahet peng diku, me diçka, rezulton se qenka e vërtetë dhe çështja qenka kjo. Nuk më duket logjike që rusët të bëjnë një tentativë të tillë edhe sikur Basha të donte, por mbetet për të hetuar. Deklarata e tij apo biseda që bëri me mua kur largoi Berishën nga grupi parlamentar, kur tha se ‘sot përfundon ultimatumi’, ‘thashë ç’është ky ultimatum’? Rezulton ultimatumi që ambasadorja amerikane i kishte dhënë Bashës, ‘largo Berishën ose…’. Kur është ultimatum do të thotë se ty të kërcënojnë me diçka, nëse nuk bënë këtë veprim do të të ndodhë kjo.” – shtoi Paloka.